Vazhdojnë intervistimet për dyshime rreth manipulimit me vota në Klinë

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se sot do të vazhdojë intervistimi i personave përgjegjës për procesin e numërimit të votave në Komunën e Klinës.

Lidhur me dyshimet për manipulim të votave, përkatësisht të rezultateve të kandidatëve të subjekteve politike në këtë komunë, Prokuroria ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë intervistimin e personave të përfshirë në këtë proces.

Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se mbetet e përkushtuar për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti dhe për garantimin e ligjshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor.

“Për zhvillimet e mëtejshme, opinioni publik do të njoftohet me kohë,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.