Poezi nga Hajdin Morina SHËN ARBËR

Poezi nga Hajdin Morina

SHËN ARBËR

(Në kujtim të nëntorëve të përgjakur të atdheut tim)
Në këtë stinë tërmetesh
në dheun e drejtpeshimit tim,
Ti, Shën Arbër, kumt i mirë për Arbërinë.
550 vjet pas, emrin tënd e thithim me ajër
dhe të ndiejmë tek na rrjedh nëpër gjak, Shën Arb.
Ende me dritën tënde e verboj terrin e natës, Shën Arbër.
Me kroje Kruje bekoj lumin e jetës
që ma bart mbi shpinë varkën time
ngarkuar me dhimbjet, kujtimet
dhe me pak gjë tjetër nga kjo jetë, Shën Gjergj.
Nga Kruja i paskam këta lisa kaq të gjatë,
nga Kruja rrjedhin këto kroje që shërojnë plagë,
të Krujës i kam gurët dhe harqet e urës.
550 vjet pas, në dhimbjen e Kalabrisë,
në mallin arbëresh
dhe në dhimbjen kronike të Kosovës ti dhemb,
Kryezot i Arbërisë, Shën Gjergj.
Vetëm me ty në truallin tim ruaj emrin që unë të jem unë
dhe lart e ngre ballin e trupin tim, aq sa mund,
sepse dhimbja shekullore e vertebrës më dhemb shumë,
Imzot, Shën Arbër, rrënjë e rranjës.
550 vjet pas, nëpër Arbëri emri yt shumëzohet
nëpër djepa, nëpër këngë e nëpër besë si atëherë,
Kastriot, Skënderbe, Arbër, Gjergj.
Në këtë stinë tërmetesh
në dheun e drejtpeshimit tim,
Ti, Shën Arbër, kumt i mirë për Arbërinë.

ARBËRIA E VOGËL
Edhe sot ta lë në besë ty tërë qiellin tim gri,
t’i lë në besë krejt çka kam, të vdekur e të gjallë,
vetëm ty ta lë në besë tërë tokën time lulëzuar me varre,
Drenica ime, Drenicë, dhimbja ime e madhe.
Vetëm ty ta lë qiellin e ëndrrës peng
me gjithë zogj, me gjithë diell.
Gjithçka që kam e nuk kam ty ta fal e të falem,
fjala ime krismë, krisma ime e fjalës.
Te ti vij të vishem kur më lënë vishkull në ishull.
Vetëm me ty bëhem i lirë
përtej prangave dhe mashtrimit të lirisë,
vetëm ti ma mbush mungesën rreth sofrës
në këtë stinë ikjesh pa kthim,
Drenica ime, Drenicë.
Si ritmi i përjetshëm i zemrës,
si ritmi i orës, i ditës, i stinës,
si cikli kozmik përsëritet cikli yt, përsëritet,
dhe ia fal epokës Hasan Prishtinën,
ia fal epokës Azem Bejtën, Arbërinë e Vogël.
Ti lirinë nuk e vesh kur armiqtë ta presin ngushtë,
prandaj vishesh me këmishën e përhershme të luftës
Dhe epokës ia fal Shaban Palluzhën,
Kosovës ia fal Prekazin, Adem Jasharin.
Drenica ime me male e gurë shumë,
me pak lumenj, me pak ujë,
më i gjati lumë i gjakut tim,
hartave, operacioneve të rënda brinjëve të Arbërisë.
Etja ime e vjetër, mbetur ndezur në një ëndërr,
Drenica ime, Drenicë,
Arbëria ime e Vogël e Arbërisë.

FORT KAM SHPRESË PËR BESË

Mua më mjafton që të rënëve
Atdheun nuk ua zhvishni dot
Prandaj fort kam shpresë fort