SHFMU “Dëshmorët” në Volljak, shënon Ditën e Shkollës me aktivitetet të shumta

DITA E SHKOLLËS

Me rastin e Ditës së Shkollës, në SHFMU “Dëshmorët” Volljak u organizuan një sërë aktivitetesh sportive, kulturore dhe edukative për të shënuar këtë ditë të veçantë. Nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit morën pjesë me entuziazëm, duke krijuar një atmosferë festive dhe bashkëpunuese.

U zhvilluan gara në futboll, volejboll, pingpong, si dhe një garë në vrapim. Fitues në futboll u shpallën nxënësit e klasës së shtatë, ndërsa në volejboll fituese dolën nxënëset e klasës së nëntë.

Në programin kulturo-artistik, nxënësit u paraqitën me poezi, ese dhe pika të ndryshme muzikore e vallëzuese, të cilat i kushtuan shkollës dhe dëshmorëve. Ora letrare u karakterizua nga kreativiteti dhe paraqitjet e shumta të nxënësve tanë të talentuar.

Në kuadër të lëndës Shoqëria dhe Mjedisi, mësimdhënësit së bashku me nxënësit dhe prindërit organizuan një panair të ushqimeve tradicionale. Prindërit, me përkushtim dhe bashkëpunim të ngushtë me fëmijët e tyre, përgatitën ushqime të ndryshme tradicionale, duke pasuruar programin e ditës dhe duke promovuar vlerat tona kulturore.

Mësimdhënësit dhe stafi drejtues shprehin mirënjohje të veçantë për prindërit, për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në jetën e shkollës.

Gëzuar Dita e Shkollës për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe mbarë komunitetin!