Zjarret para disa javësh shkaktuan dëme të mëdha në Resnik, banorët presin reagim nga Komuna

Zjarret që shpërthyen para disa javësh në territorin e komunës së Klinës, fillimisht në fshatin Dush, kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në fshatin Resnik, si pasojë e përhapjes së flakëve, që dyshohet se nisën nga tensioni i lartë i energjisë elektrike,shkruan Klina info

Një banor i fshatit Resnik, përmes një reagimi për redaksinë tonë ka treguar gjendjen alarmante me të cilën po përballen:

“Jemi nga fshati Resnik, Komuna e Klinës. Paraqes rastin që ndodhi para disa ditësh. Zjarri që, sipas të dhënave, u shkaktua nga tensioni i rrymës në fshatin Dush, u përhap edhe në fshatin tonë. Dëmet janë të mëdha: është djegur një shtëpi banimi, shtalla e bagëtive, ushqimi i bagëtive dhe rreth 3 hektarë pyll që është dëmtuar 100%.”

“Për këtë fatkeqësi, askush nuk ka dalë në terren për të na vizituar apo parë dëmet. Jemi me shpresë që dikush nga Komuna do të dalë dhe do t’i shqyrtojë dëmet që na janë shkaktuar. Kemi edhe foto si dëshmi të ngjarjes.”

Banorët e Resnikut shprehen të shqetësuar dhe të zhgënjyer nga mungesa e reagimit institucional dhe kërkojnë që Komuna e Klinës të dalë në terren, të vlerësojë dëmet dhe të ofrojë mbështetje për familjet e prekura./Klina info/