Sokol Bashota, nderon dëshmorët Arben Haliti dhe Faruk Elezi: “Liria u arrit me gjakun e më të mirëve”

Në një postim të publikuar nga Sokol Bashota, kryetar i degës së PDK-së në Klinë, është përkujtuar sakrifica e dëshmorëve të kombit Arben Haliti dhe Faruk Elezi, të cilët ranë në altarin e lirisë 26 vite më parë.
Në shkrimin e tij, Bashota thekson se Tempulli i Lirisë është vendi ku janë gdhendur emrat e më të shtrenjtëve të Kosovës, ata që dolën zot atdheut dhe u bënë pjesë e një ideali të shenjtë. Arben Haliti dhe Faruk Elezi, siç thuhet në mesazh, u rreshtuan herët në radhët e atyre që sakrifikuan jetën për çlirimin e vendit.
“Ishte sakrifica e Arben Halitit, e Faruk Elezit dhe gatishmëria e tyre për të paguar çmimin e lartë të lirisë ajo që dëboi pushtuesin nga këto troje,” shkruan Bashota, duke nënvizuar rolin vendimtar të heronjve në rrugëtimin drejt lirisë.
Në përfundim, ai shpreh mirënjohje të përhershme për të gjithë dëshmorët, duke shtuar se ata jetojnë në kujtimet, fitoret dhe rrugën drejt të ardhmes së Kosovës.
“Lavdi dëshmorëve të kombit!”