97 vatra zjarri të regjistruara vetëm sot në Kosovë

AME/MPB njofton se, sipas të dhënave të pranuara sot, në nivel vendi janë regjistruar gjithsej 97 vatra zjarri. Nga këto, 26 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 71 janë lokalizuar falë intervenimit të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.

Gjatë pasdites është vërejtur një rritje e lartë e numrit të zjarreve. Situata më e rënduar është paraqitur në komunat Klinë, Vushtrri, Podujevë dhe Mamushë. Kjo rritje e vatrave të zjarrit ka krijuar vështirësi të mëdha për ekipet reaguese në terren. Situata aktualisht është nën kontroll, por mbetet mjaft sfiduese.

Agjencia u bën apel të gjithë qytetarëve që të denoncojnë pranë organeve ligjzbatuese çdo rast të zjarrvënies, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë rastet urgjente në numrat 112, 193 dhe 192.

Njëkohësisht, Agjencia shpreh mirënjohje për përkushtimin dhe angazhimin e pjesëtarëve të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, të cilët po veprojnë pandërprerë në terren për menaxhimin e situatës, Policin e Kosoves, dhe FSK-në.