“48 baza të ushtrisë serbe ekzistojnë përgjatë kufirit”, Maqedonci: Presin një moment të volitshëm për të kryer aksione ushtarake

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, foli për bazat ushtarake serbe që janë të vendosur përgjatë kufirit, të cilat sipas tij janë një rrezik permanent.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci i pyetur në një intervistë për A2CNN se përse Kosova nuk arriti të bindë ndërkombëtarët që të ndëshkojnë Serbinë për sulmin terrorist në Banjskë, tha se këtu ka të bëjë me një kalkulim politik të partnerëve.

Sipas Maqedoncit mungesa e ndëshkimit të ashpër për Serbinë nga BE-ja dhe SHBA-ja, ka qenë një lëvizje taktike për të mundësuar vazhdimësinë e dialogut.-Advertisement-

“Unë mendoj se të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë të bindur se përveçse ky grup terrorist ka pasur synim për ndarje dhe aneksim të një pjese të territorit të vendit tonë, gjithashtu ka pasur edhe lidhje me strukturat shtetërore të Serbisë. Këtë e kanë thënë faktikisht ata që kanë deklaruar më në detaje rreth çështjes së Banjskës. Besoj se është bërë një kalkulim politik nga bashkësia ndërkombëtare në këtë rast. Një pjesë e partnerëve tanë kanë konsideruar që të zhvillojnë një politikë më të butë në raport me Serbinë në këtë situatë, ndoshta nga këndvështrimi i tyre për të mundësuar vazhdimin e dialogut”, tha Maqedonci.

Por rrjedha historike e ngjarjeve në Ballkan sipas ministrit kosovar të Mbrojtjes, e ka treguar përherë se Serbia ulet në tryezë dhe zbutet vetëm kur përdoret “forca”.

“Mirëpo ne kemi pasur në këtë rajon kurdoherë situata të tilla ku për Serbinë, i vetmi mjet për ta detyruar të ulet dhe të bëjë zgjidhje politike ka qenë forca. Unë mendoj se është dashur një reagim më i fortë, është dashur t’i vendosen sanksione dhe është dashur t’i bëhet me dije Serbisë se kjo qasje hegjemoniste dhe agresive ndaj fqinjëve nuk mund të prodhojë rezultat tjetër përveç atij si në Banjskë.”

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci ka folur edhe për bazat ushtarake serbe që janë të vendosur përgjatë kufirit me Kosovën, të cilat sipas tij janë një rrezik permanent.

Ai tregoi se në këto baza, jo shumë larg territorit të Kosovës, janë të dislokuara 3 nga 4 brigadat e këmbësorisë serbe, teksa shtoi se shpërndarja taktike e tyre tregon se po presin momentin e duhur për të kryer një invazion.

“48 bazat të ushtrisë serbe ekzistojnë përgjatë kufirit. Janë në një distancë nga 300 m deri në 5 km brenda kufirit të Serbisë. Ato përbëjnë kërcënim. Bazat janë të drejtuar armiqësisht drejt territorit të Kosovës dhe janë 3 nga 4 brigadat e këmbësorisë serbe të vendosura në jug të Serbisë. Këto janë në një distancë të shkurtër nga Kosova. Këto 3 brigada mbështesin 48 bazat operacionale. Këto lloj bazash vendosen në vende ku pritet një invazion. Këto baza presin një moment të volitshëm për Serbinë për të kryer aksione ushtarake, apo për të mbështetur një sulm si ai i Banjskës. Janë dikur 4000 trupa në këto baza, të pajisura me armatim dhe mjete për sulme ushtarake”, tha Maqedonci.