27 vjet pa Jakup Agushin, dëshmorin nga Drenoci i Klinës

Më 30 qershor 2025, shënohen plot 27 vite nga rënia heroike e dëshmorit Jakup Agushi, nga fshati Drenoc i Klinës, i cili dha jetën në altarin e lirisë gjatë luftës çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë,Shkruan Klina info

Jakup Agushi ishte një prej bijve më të mirë të kësaj toke, që me guxim, përkushtim dhe dashuri të pamasë për atdheun, zgjodhi të përballet me pushtuesin dhe t’i japë lirisë gjithçka – edhe jetën.

Ai ishte njeri me zemër të pastër, shpirt të madh dhe me një vendosmëri të pathyeshme për t’i dhënë fund padrejtësive që rëndonin mbi popullin shqiptar.

“Për Jakupin, liria ishte më e rëndësishme se jeta vetë,” shprehen familjarët dhe bashkëluftëtarët e tij në këtë përvjetor të dhimbshëm, por edhe krenar. “Ai flijoi veten për të ardhmen tonë, për dinjitetin tonë, për një Kosovë të lirë.”

Kujtimi për Jakup Agushin mbetet i gjallë në zemrat e familjes, bashkëluftëtarëve, miqve dhe gjithë atyre që e njohën. Ai është dhe do të mbetet një simbol i sakrificës dhe i dritës në rrugën tonë drejt lirisë.

Lavdi jetës, veprës dhe kujtimit të përjetshëm të Jakup Agushit!