Ankesa nga qytetarët: Gjendje e rëndë higjienike përballë çerdhes “Xhevë Lladrovci”

Lexues të Klina Info kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e rënduar higjienike në mes të qytetit, përballë çerdhes së fëmijëve “Xhevë Lladrovci”, pas zhvendosjes së kontejnerëve të mbeturinave nga Komuna.

Sipas lexuesve, më parë këta kontejnerë ishin të vendosur pas ndërtesës së bardhë pranë çerdhes, por kohëve të fundit janë zhvendosur buzë rrugës, duke shkaktuar papastërti dhe erë të keqe në një zonë të frekuentuar nga fëmijët dhe prindërit.

“Pas vendosjes së kontejnerëve në skaj të rrugës, gjendja është bërë shumë e keqe. Është përballë një çerdheje dhe kjo nuk është aspak e përshtatshme për ambientin dhe shëndetin e fëmijëve,” – ka thënë një lexues.

Qytetarët bëjnë thirrje që Komuna të rishqyrtojë vendimin dhe të gjejë një zgjidhje më të përshtatshme për vendosjen e kontejnerëve, për të ruajtur pastërtinë dhe mirëqenien e banorëve, sidomos të vegjëlusheve që frekuentojnë çerdhen./Klina Info