Të infektuarit me koronavirus do të votojnë nga shtëpia

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentar të cilat pritet të mbahen gjatë pandemisë në Kosovë, votimi do t’u mundësohet edhe personave të infektuar me Covid-19 e që janë në vetizolim.

Kjo do të bëhet përmes ekipeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas KQZ-së, ata paraprakisht do të marrin konfirmimin e votuesve nëse duan ta shfrytëzojnë të drejtën për votim dhe si rrjedhojë, “votimi do t’u mundësohet nga shtëpia”.

Valmir Elezi nga KQZ ka thënë për TopChannel se ekipet do të përbëhen nga katër persona; përfaqësuesi i KQZ-së, përfaqësuesit e partive politike dhe një punëtor shëndetësor.

Bazuar në udhëzimet e lëshuara për zgjedhjet e muajit nëntor për kryetar komune e Mitrovicën e Veriut dhe Podujevë, KQZ duhet të përkujdeset që vendvotimet të dezinfektohen kohë pas kohe, të mos lejojnë hyrjen e personave pa maskë në ambiente të brendshme dhe të mbajnë rendin dhe distancën.

Për të gjitha këto detyra, KQZ pritet të shtoj stafin mbështetës që si rrjedhojë do të rrit edhe koston e procesit zgjedhor.