Një kanalizim i dëmtuar në dalje të Klinës, përgjatë rrugës Klinë–Zllakuqan, po qëndron në këtë gjendje tash e më shumë se një muaj, pa asnjë ndërhyrje nga ndërmarrja “Hidrodrini”.
Problemi buron nga lagjja e komunitetit pakicë dhe po shkakton shqetësim të madh te banorët përreth.
Era e rëndë dhe ndotja që përhapet nga vendi i derdhjes së ujërave të zeza janë bërë të padurueshme, veçanërisht gjatë ditëve të nxehta të verës.
Banorët lokalë shprehen të shqetësuar për mundësinë e përhapjes së ndonjë epidemie, duke theksuar se situata paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik.
Pavarësisht ankesave të përsëritura, deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete për sanimin e kanalizimit të dëmtuar.
Banorët apelojnë për ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës./Klina Info/