Serbia paralajmëron padi të reja në Speciale ndaj Ramush Haradinajt, Sami Lushtakut e të tjerëve

Kryetari i Grupit Punues për Krime të supozuara të UÇK-së, Milovan Dreçun, është shprehur se ishin së paku 159 kampe të kontrolluara nga UÇK-ja në Kosovë dhe Shqipëri, për të cilat ky Grup Punues pretendon se ka dokumentacion të saktë.

Ai tha se disa prej këtyre kampeve nuk ishin pjesë e aktakuzës së Gjykatës Speciale në Hagë, kështu bazuar në to paralajmëron se do të ketë padi të reja.

“Ne i ndamë ato kampe të fshehta, të paligjshme në zonat e përgjegjësisë së UÇK-së, për të kapur ata që janë përgjegjës dhe që i kontrolluan ato. Ka njerëz që kanë drejtuar ato kampe ku torturuan dhe vranë njerëz dhe ka përgjegjësi komanduese të komandantëve të atyre zonave operacionale të UÇK-së, sepse burgjet ishin të vendosura në territorin e tyre”, tha Dreçun për Kosovo Online.

Sipas Dreçun, këto zona operacionale të UÇK-së ishin në Shalë, Drenicë, Nerodime, Pashtrik, Dukagjin dhe Karadak, bashkë me vendet në veri të Shqipërisë. Ai deklaroi se padi të reja mund të ndodhin, bazuar në dokumentacionin mbi ato kampe.

“Ekzistonin 10 kampe në zonën operative të Llapit të UÇK-së. Komandant ishte Rrustem Mustafa, i njohur si Remi. Kishte 13 kampe në zonën e Shalës, komandant i të cilëve ishte Rrahman Rama. Kishte 16 kampe në zonën e UÇK-së Drenica, dhe komandant ishte Sami Lushtaku. Ndërkaq, ne regjistruam 18 burgje të paligjshme në zonën Nerodimë , të cilat ishin nën komandën e përgjegjësisë së Shukri Bujës. Kur bëhet fjalë për zonën operacionale të UÇK-së në Pashtrik, aty kishte më së shumti kampe, 37 sosh, dhe komandant ishte Ekrem Rexha. Në zonën operative Dukagjini, kishte 33 kampe, ku ishte nën udhëheqjen e Ramush Haradinajn. Në zonën e UÇK-së në Karadak, kishte 26 kampe dhe komandant ishte Isufi Ahmeti, i njohur si Rexha”, tha Dreçun.

SHARE