Protestohet kundër rritjes së çmimeve të çimentos

Në Han të Elezit është protestuar për të kundërshtuar ngritjen e çmimeve të çimentos.

Dhjetëra kamionë kanë marrë pjesë në protestë, duke lëshuar boritë e tyre si shenjë kundërshtimi për këtë rritje.

Naim Mahmutaj, përfaqësues i Shoqatës së Betonjerkave të Kosovës, tha se kjo ngritje është bërë drastike dhe e papërballueshme.

“Jemi mbledhur sot në këtë tubim të qetë për të shprehur kundërshtimin dhe shqetësimin tonë të thellë lidhur me ngritjen e vazhdueshme të çmimit të çimentos. Siç jeni të informuar së fundmi, nga fabrika e çimentos “SharrCem” për ngritje të sërishme të çmimit të çimentos për 17.81 euro për ton, duke përfshirë TVSH-në, që do të hyjë në fuqi nga data 08.08.2022. kjo është ngritja e tretë e çmimit të çimentos brenda këtij viti. Meqënëse nga data 1 janar deri më sot, çmimi i çimentos është ngirtur nga 82.01 euro për ton, në 129.80 euro për ton” tha ai.

Mahmutaj gjithashtu përmendi edhe shqetësimet e kësaj shoqate.

“Shqetësimet tona janë: ngritja e shpeshtë e çmimit të çimentos, mungesa e arsyetimit përmbajtësor për këto ngritje, ngritja në mes të sezonit të punës, ngritja pa paralajmërim paraprak dhe në afat shumë të shkurtër kohor”.

Protesta ishte e qetë dhe pa incidente.