Pamje nga aksidenti te “Bill Clinton”, vetura e Policisë u rrokullis

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, ku janë përfshirë dy vetura, njëra prej të cilave e Policisë së Kosovës. Për pasojë, katër persona janë lënduar, dy prej të cilëve zyrtarë policorë, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka siguruar pamje nga momenti pas aksidentit, ku shihet vetura zyrtare e rrokullisur, teksa intervenojnë disa qytetarë dhe dy patrulla të Policisë.

Rastin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se të lënduarit kanë marrë trajtim mjekësor.

“Sot rreth orës 03:30 kemi pranuar informatën se në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura në lëvizje ( njëra nga to veturë e policisë).

Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar katër persona ( dy nga ta zyrtar policor).”

Personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut rrugor.”- thuhet në përgjigjen e Policisë për Sinjalin.