Nis shqyrtimi i ankesave, sa kohë ka në dispozicion PZAP-ja?

Me përfundimin e afatit për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, është bërë e ditur se janë dorëzuar 7 sosh lidhur me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare. Ky institucion ka në dispozicion 96 orë për t’i shqyrtuar, pesë ankesa nga subjektet politike dhe dy të tjera nga një kandidat për deputet.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të ketë 96 orë në dispozicion për t’i shqyrtuar 7 ankesa, që i janë adresuar këtij institucioni, mbi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit.

Në një përgjigje me shkrim, nënvizohet se pesë ankesa janë nga subjektet politike dhe dy të tjera nga një kandidat për deputet të kuvendit, për legjislaturën e ardhshme.

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Bekim Haxhiu, ka deponuar dy ankesa. Njëra prej tyre ka të bëjë me shpërndarjen e ulëseve në Kuvend, ndërsa tjetra lidhet me parregullsi të pretenduara gjatë numërimit të votave me postë.

Ndërkohë që 5 ankesa të tjera vijnë nga subjekte politike në radhët e pakicave. Dy ankesa i ka parashtruar Lidhja e Re Demokratike që ndërlidhen me pretendime për parregullsi me vota, konkretisht me fletëvotimet.

Një ankesë për parregullsi në votim kanë paraqitur edhe koalicioni PAI, PDAK, LPB, si edhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

E Lista Serbe ka dorëzuar ankesë ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për mosmiratimin e listës së kandidatëve të saj. Në mbledhjen e fundjavës, kur KQZ-ja shpalli rezultatet e zgjedhjeve, anëtarët e Vetëvendosjes votuan kundër e ata të Partisë Demokratike abstenuan.

“Lufta politike, beteja politike është legjitime, por a duhet në proceset të cilat janë edhe emergjente, të veprohet kështu, është çështje që duhet adresuar pikërisht këtyre subjekteve politike, në këtë rast atyre që votuan kundër dhe atyre që abstenuan. Pra, nuk duhet as dramatizuar, por as minimizuar, por thjeshtë është një betejë politike që subjektet politike e bëjnë në momente të caktuara, për qëllimet e tyre politike”, ka thënë Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve juridike.

Në Vetëvendosje folën për votimin kundër, ndërsa anëtarët e PDK-së që abstenuan, nuk u deklaruan.

Edhe Misioni i OSBE-së në vend, në reagimin e vet ka nënvizuar se po i monitoron nga afër zhvillimet, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shpalli të shtunën rezultatet përfundimtare të

zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të dhjetorit, duke miratuar listat përbërëse të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe. Misioni thekson nevojën për respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, në veçanti publikimin transparent dhe gjithëpërfshirës të rezultateve zgjedhore, si një mjet për të siguruar siguri juridike dhe trajtim të barabartë për të gjithë garuesit zgjedhorë