Negociatat Ukrainë-Rusi, tri shtete futen si garantuese, cilat janë kushtet e dy shteteve për marrëveshje

Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë kanë përfunduar raundin e tyre të bisedimeve në Stamboll. Këtë e ka bërë të ditur transmetuesi shtetëror turk TRT, katër orë pas fillimit të bisedimeve të paqes mëngjesin e sotëm.

Negociatat për t’i dhënë fund luftës së agresionit po rezultojnë të vështira dhe pozicionet ndryshojnë shumë. Qeveria ukrainase dëshiron që trupat ruse të tërhiqen dhe të garantojë sigurinë.

Në anën tjetër, Moska po kërkon që Ukraina të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO dhe të njohë zonat separatiste lindore të Ukrainës si shtete të veçanta dhe gadishullin ukrainas të Detit të Zi të Krimesë, të aneksuar në vitin 2014, si pjesë e Rusisë.

Negociatorët ukrainas kanë deklaruar se është diskutuar “një sistem i garancisë së sigurisë”, i cili do të përfshinte masat si mosprania e bazave të ushtrive të huaja në Ukrainë.

Sipas negociatorëve, shtetet si Turqia, Polonia dhe Kanadaja janë parë si shtete garantuese në këtë proces.

Negociatorët kanë thënë po ashtu se një referendum ka të ngjarë të mbahet për çdo kusht që vë Rusia dhe se Ukraina do të dëshironte marrëveshje të plotë paqeje.

Ukraina do të pranonte statusin neutral nëse propozimet e saj pranohen nga Rusia, kanë shtuar ata.