(P. Fulvio Cordignano S.I., “L’Albania attraverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario italiano, il P. Domenico Pasi S.I. (1847–1914)”, Vëllimi II, nga faqe 171–172)
Shkruan: Lekë Mrijaj
Bazuar në librin e sipërm të françeskanit p. Fulvio Cordignano S.I., me 18 dhe 19 mars të vitit 1894, nga Gllogjani, atë Sereqi, së bashku me sivëllain e tij, shkoi në Dugajevë, ndërsa atë Pasi dhe don Mikeli u nisën drejt rajonit të Prekorupës, skaji më i largët i famullisë, ku të krishterët po pakësoheshin gjithnjë e më shumë për shkak të apostazive. Vizitat, për fat të keq, të shpeshta të hoxhallarëve, padituria dhe ftohtësia shpirtërore i kishin larguar aq shumë nga ndjenjat dhe praktikat fetare, sa që atë Pasi mendonte se nuk do të kalonin shumë vite para se edhe ai fill i dobët që i lidhte me krishterimin të këputej.
Vizituan fshatin Pogragjë, ku gjetën një familje që atë Pasi e njihte nga Qyqeshi i Berishës, prej nga ishte shpërngulur. Vetëm kjo familje dinte disa lutje, ndërsa të krishterët e tjerë nuk dinin asgjë. Në Cerovik gjetën 7 familje katolike që tashmë e njihnin atin nga një vizitë e mëparshme dhe e pritën me gëzim dhe dëshirë të madhe.
Në Dobërdol, ku kishin mbetur shumë pak familje katolike, edhe ato ishin tepër të ftohta, saqë nuk mund të merrej ndonjë përfitim shpirtëror prej tyre. Një plak tha: “Atë, është e kotë që përpiqesh dhe mundohesh; Zoti e ka hequr bekimin nga ky vend dhe do të përfundojë i tëri në besimin turk. Tashmë është turp të jesh i krishterë këtu. Pleqtë ndoshta do të vdesin si të krishterë, por të rinjtë nuk dëshirojnë gjë tjetër veçse të bëhen turq dhe të gjejnë rastin për ta shpallur këtë.”
Në rrugën ndërmjet Dobërdolit dhe Klinës, ata gjetën një plak që ishte i vetmi i krishterë besnik në familjen e tij. Myslimanët e krahinës e kishin detyruar edhe të birin të ndërronte fenë, sepse ndryshe, sipas kërcënimeve të tyre, nuk do të mund të trashëgonte pasurinë e lënë nga xhaxhai i tij.
Në Klinë kishte mbërritur një ditë më parë atë Sereqi, pasi kishte kaluar nëpër fshatrat Dugajevë, Poterq dhe Krushevë. Duhet shënuar për historinë se edhe ky prift hasi në një nga ato gra vërtet heroike, e cila, për të ruajtur fenë së bashku me dy fëmijët e saj, ishte larguar nga të afërmit dhe ishte e gatshme të duronte çdo mundim e martirizim sesa të dorëzohej. Ai gjeti gjithashtu njerëz që nuk ishin rrëfyer prej 18, 20 dhe 30 vjetësh – një pamje e vërtetë e shkretimit dhe braktisjes shpirtërore.
Klina ishte një fshat me 12 familje katolike, të gjitha nga Mirdita, dhe 15 familje shizmatike. Atë Sereqi, i lodhur dhe i sëmurë, u dërgua nga eprori i tij së bashku me don Mikelin në qelën famullitare për të pushuar dhe për t’u shëruar, ndërsa gjithë barrën e misionit e mori mbi vete një tjetër meshtar.
Pas vizitës në Klinë, u ndalën në Krushevën e Poshtme, Radulloc dhe më 10 mars u vendosën në Patoqan, me qëllimin për të zhvilluar aty një mision qendror. Në të vërtetë, të gjithë katolikët e Lugut të Drinit të Bardhë – burimet e të cilit ndodheshin në malet e Mokrës – dëshironin që meshtari i tyre të qëndronte në mesin e tyre. Por, për shkak të kohës së kufizuar, ata u ftuan që të merrnin pjesë në misionin e Potoqanit.
Në atë kohë, në atë luginë ndodhej përqendrimi më i madh i të krishterëve, të shpërndarë në këto fshatra: Në të majtë të Drinit ndodheshin: Gurakoci (fshati më verior dhe më i afërti me vendbanimet e banuara vetëm nga turqit, ndaj edhe ai që vuante më shumë), më pas Brekova, Leskoci, Ranoci, Zllakuçani, Potoqani, Radulloci, Krusheva e Pashës dhe Klina.
Në të djathtë të Drinit: Budisalci (fshati më verior), pastaj Krusheva e Ali Agës, Jagoda, Paskalica, Videja dhe Novosela. Kështu shkruante atë Domeniko Pasi.
Ps: Shkrimi është përkthyer nga italishtja në gjuhën srandarte shqipe…