Nderohen dëshmorët e kombit Qaush Haxhi Morina dhe Ismet Sokol Morina në Qeskovë

Sot në fshatin Qeskovë, të komunës së Klinës u mbajt akademi përkujtimore në përvjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit, Qaush Haxhi Morina dhe Ismet Sokol Morina, dy figura emblematike të luftës për liri, të rënë në vitet 1998 dhe 1999 gjatë rezistencës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me këtë rast, përfaqësues të institucioneve lokale, familjarë të dëshmorëve, qytetarë dhe ish-ushtarë të UÇK-së, u mblodhën për të bërë homazhe dhe për të përkujtuar me respekt të thellë ata që dhanë jetën për Kosovën.
“Dëshmorët janë themeli mbi të cilin është ndërtuar liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës. Veprat e tyre jetojnë përherë në kujtesën tonë kolektive dhe frymëzojnë brezat e rinj për dashuri ndaj atdheut,” – u shpreh kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, në fjalën e tij gjatë ceremonisë përkujtimore.
Më 13 maj në vitin 1998, nisën luftimet e para të UÇK-së në zonën e Qeskovës dhe Këpuzit, ku forcat serbe sulmuan shkollën e fshatit.
Në këto përleshje u flijua dëshmori i parë i Qeskovës, Qaush Haxhi Morina, duke hyrë në historinë e vendit si simbol i sakrificës dhe guximit.
Një vit më vonë, po më 13 maj 1999, në betejat e pandalura për çlirim, ra edhe Ismet Sokol Morina, duke e kurorëzuar këtë ditë si simbol të lirisë dhe sakrificës për Kosovën e pavarur.
Lavdi dëshmorëve të kombit! Nder e përjetësi për veprën e tyre!