Kosova ndalon kosat kineze dhe ekspozimin e cigareve elektronike (FOTO)

Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka marrë vendim që të ndalojë importimin e 200 kositëseve të barit me rrymë me origjinë nga Kina.

Ky vendim ka ardhur pasi, sipas inspektorëve, të njëjtat nuk i kanë plotësuar kërkesat ligjore të sigurisë dhe si të tilla nuk mund të vendosen në treg për konsumatorët.

Gjithashtu, sipas njoftimit të kësaj ministrie, inspektorët e MINT-it kanë ndaluar ekspozimin e cigareve elektronike, kanë bërë mbikëqyrjen e tregtisë dhe cilësisë së naftës e vajrave motorike, verifikimin e produkteve për përmbushje të standardeve dhe të sigurisë etj.

Gjatë javës së kaluar, Inspektorati thotë se ka kryer 55 kontrolle te operatorët ekonomikë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Në njoftim thuhet po ashtu se nga konsumatorët janë pranuar dhe shqyrtuar 98 ankesa, ndërsa shtohet se është analizuar cilësia e produkteve të naftës ku janë marrë 30 mostra për testim në laboratorët e akredituar.

Po ashtu është bërë edhe verifikimi i peshës së bukës dhe sasisë së naftës.

Këto kontrolle janë bërë në bashkëpunim me Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës që funksionon brenda në MINT.

Në njoftim thuhet se inspektorët madje kanë vazhduar edhe me monitorimin e rregullt të çmimeve të produkteve të naftës te pikat shitëse me pakicë, ndonëse nuk kanë treguar se cilat janë rezultatet e këtyre inspektimeve e monitorimeve.