Hoti në Viti: Jam i bindur se do të dalim shumë mirë në këto zgjedhje, duke mos pasur as luhatjen më të vogël

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, sot zhvilloi takim me degën e LDK-së në Viti.

Sipas tij, qeverisja lokale në Viti është ndër më të mirat.

“Vetëm Lidhja Demokratike ka mundur të prijë me këto procese, siç është menaxhimi me pandeminë, duke u renditur në mesin e vendeve që kanë menaxhuar më së miri me pandeminë, përkundër shumë sfidave me infrastrukturën shëndetësore”, tha kandidati i LDK-së për kryeministër, Hoti.

Ai theksoi se vendi është gjetur i mbyllur dhe i lënduar, duke i referuar qeverisë “Kurti”, por tha se i kanë hapur dyert me Brukselin, Washingtonin dhe të gjitha kryeqendrat botërore.

“Vetëm me vizionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës kemi arritur të përmbushim ëndrrën e presidentit historik, Dr.Ibrahim Rugova, që orientimi ynë të mbetet perëndimi dhe miqësia e përhershme me SHBA-të dhe BE-në”, tha ndër të tjerat kryeministri në detyrë.

Hoti bëri thirrje për mobilizim të fuqishëm të strukturave, anëtarësisë dhe gjithë qytetarëve “për të mos e ndërruar kursin pro-perëndimor”.