Dhimbja që u kthye pas 26 vitesh: Identifikohen edhe 3 viktima nga Klina të masakrës së Kralanit

Pas më shumë se dy dekadash pritjeje dhe dhimbjeje, janë identifikuar viktimat e masakrës së Kralanit, të kryer më 4 prill 1999 gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Burime të KLINA info bëjnë me dije se trupat e tyre u gjetën në varrezat masive në Pastasel, ndërsa procesi i identifikimit u realizua përmes analizave shkencore.

Viktimat e identifikuara janë: Masar (Ymer) Dushi nga Klina, Bali (Pajazit) Gashi dhe Fadil (Shaban) Elezaj nga Gjurgujviku vogel.

Sipas dëshmive dhe dokumentimeve, forcat policore serbe kishin ndarë me qindra djem dhe burra nga rreth 1500 shqiptarë që kishin braktisur vendbanimet e tyre për t’i shpëtuar krimeve serbe, ndërsa gratë, fëmijët dhe të moshuarit ishin urdhëruar të largoheshin drejt Shqipërisë.

Dy ditë më vonë, më 4 prill 1999, nga grupi i djemve dhe burrave që ishin mbajtur në një livadh, të rrethuar me tanke, pa ushqim dhe pa ujë, një pjesë e madhe u lirua.

Mirëpo, nga qindra sa ishin, forcat serbe ndalën 86 persona, përfshirë edhe 11 të mitur, të cilët më pas u ekzekutuan mizorisht.

Masakra e Kralanit konsiderohet një nga krimet më të rënda dhe më të dhunshme të kryera gjatë luftës, duke lënë plagë të thella te familjet e viktimave dhe shoqëria kosovare.

Familjarët dhe institucionet kanë bërë të ditur se viktimat pritet të varrosen më 27 të këtij muaji, në një ceremoni përkujtimore për nder të jetës dhe sakrificës së tyre./Klina info/