Borrell: Do t’i ftoj Kosovën e Serbinë në takim javën tjetër, po tentojmë të kuptojmë si u arrestuan tre policë

Kryediplomati evropian, Josep Borrell ka konfirmuar se javën tjetër do t’i ftojë në takim Kosovën dhe Serbisë për të “menaxhuar krizën”. Ai ka folur edhe për arrestimin e tre zyrtarëve policorë, duke thënë se janë ende duke tentuar të kuptojnë se çfarë ka ndodhur.

Para takimit të ministrave të Mbrojtjes, Borrell fillimisht e ka falenderuar KFOR-in për punën e bërë në veri të Kosovës, këto ditë kur ajo pjesë ka qenë shumë e tensionuar.

“Këto ditë, bashkëpunimi, dua të falenderoj KFOR-in për atë çfarë kanë bërë në veri të Kosovës, ka pasur një incident, arrestimi i tre policëve nga Kosova.” – u shpreh ai.

Borell tutje tha se janë në kontakt me misionin e KFOR-it, dhe të dyja palët për të kuptuar se çfarë solli në arrestimin e tre zyrtarëve policorë kosovarë nga Policia e Serbisë.

“Po tentojmë të kuptojmë se çfarë ka ndodhur jemi në kontakt me komandën e KFOR-it dhe me të dyja palët për të parë se çfarë ndodhi, çfarë solli në këtë arrestim.” – deklaroi tutje.

Në fund, Borell konfirmoi se do të ftojë takim mes dy palëve, duke u shprehu si vijon: “Duhet të bëjmë thirrje për qetësi, unë do t’i ftoj të dyja palët për takim të menaxhimit të krizës këtu në Bruksel javën tjetër”.