Balotazhi/ Fletëvotimet e shtypura në Slloveni kanë arritur në Kosovë

Kanë arritur në Kosovë fletëvotimet për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunave.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së ka konfirmuar për IndeksOnline se fletëvotimet e shtypura në Slloveni tashmë kanë arritur në Kosovë.

“Mund t’ua konfirmoj se nga Sllovenia janë sjellur në Kosovë fletëvotimet për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, që do të mbahen më 14 nëntor”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, numri i fletëvotimeve që janë shtypur është 1,136,150 fletëvotime.

“Pra, janë shtypur 124,421 apo 9.87% më pak fletëvotime sesa numri i përgjithshëm i votuesve në 21 komunat ku do të mbahet raundi i dytë. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto komuna është 1,260,571 votues”, ka thënë Elezi./