Agim Fejullahi: Mujë Krasniqi nuk vdes kurrë, ai jeton në historinë e kombit

Agim Fejullahi, kandidat i PDK-së për deputet, ka kujtuar sot 27-vjetorin e rënies së Komandantit Mujë Krasniqi, duke vlerësuar lart figurën dhe veprën e Heroit të Kombit, transmeton KLINA Info.

Në një mesazh përkujtimor, Fejullahi theksoi se trimat që bien në fushën e nderit nuk vdesin kurrë, pasi pas vetes lënë gjurmë të pashlyeshme në histori dhe në kujtesën kolektive të kombit.

“Figura e Heroit të Kombit Mujë Krasniqi është figurë madhore, figurë kolosale. I madh është edhe emri dhe vepra e tij. Çdo fjalë, çdo shkrim për Mujën mbetet gjithmonë në miniaturë përballë madhështisë së veprës së tij. Ai mbeti legjendë e Klinës, legjendë e Kosovës, legjendë e Shqipërisë dhe e të gjitha ngulmimeve tona.”, shkruan mes tjerash ai.

Statusi i tij i plotë:

Sot, në 27-të vjetorin e rënies së komandantit
Trimat si Muja, që bien në fushën e nderit, pas vetes lënë gjurmë: lënë emrin, lënë këngën dhe dashurinë e pashuar që valëvitet nëpër kujtimet e brezave. Ata nuk vdesin.
Figura e Heroit të Kombit Mujë Krasniqi është figurë madhore, figurë kolosale. I madh është edhe emri dhe vepra e tij. Çdo fjalë, çdo shkrim për Mujën mbetet gjithmonë në miniaturë përballë madhështisë së veprës së tij. Ai mbeti legjendë e Klinës, legjendë e Kosovës, legjendë e Shqipërisë dhe e të gjitha ngulmimeve tona. Legjendë për aktin më sublim që bëri.
Ishte dhe mbeti legjendë e atij kufiri dhe e atyre gurëve që padrejtësisht ndanë një gjak, një gjuhë, një flamur… Dhe ky gjak i Mujës dhe i pishtarëve të tjerë, sot e 27 vjet, bën rojë nderi në qendër të Klinës, në “Kodrën e Kuqe”, në kufirin shqiptaro-shqiptar dhe gjithandej Kosovës.
Lavdi e përjetshme Komandant Mujë Krasniqi, Kapuci!