27 vjet nga rënia e Mujë Krasniqit, e kujton dega e OVL UÇK-së në Klinë

Nën organizimin e Degës së OVL-UÇK në Klinë, me kryetar Hajdin Bala, sot u mbajt një aktivitet përkujtimor në nderim të dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mujë Krasniqin, i cili ra heroikisht në Pashtrik para 27 vitesh.

Në këtë përvjetor të rënies, kryetari i OVL-UÇK-së në Klinë, Hajdin Bala, së bashku me familjarë, bashkëluftëtarë, miq dhe qytetarë, bënë homazhe për të nderuar jetën dhe veprën e dëshmorit.

Fillimisht, homazhet u mbajtën në qendër të Klinës, ndërsa më pas u vazhdua me vizita dhe vendosje lulesh te Varrezat e Dëshmorëve në Morinë – Skënderaj ku Mujë Krasniqi prehet pranë shokëve të tij të idealit.

Me këtë rast u theksua se sakrifica e dëshmorëve të UÇK-së mbetet themeli i lirisë së Kosovës dhe se kujtimi për ta do të ruhet brez pas brezi./Klina info