Rrahman Rama: 7-vjetori i Ushtrisë së Kosovës, një arritje historike e shtetësisë

Kandidati i PDK-së për deputet, Rrahman Rama, ka kujtuar sot 7-vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë proces si një nga arritjet më të mëdha të shtetësisë së vendit.

Rama ka theksuar se ndërtimi i Ushtrisë së Kosovës u bë përmes një angazhimi të madh institucional dhe bashkëpunimi të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e NATO-s, me synimin për krijimin e një force profesionale, moderne dhe në shërbim të paqes dhe sigurisë.

Statusi i plotë:

7-vjetori i themelimit të Ushtrisë së Kosovës

Shumë punë, angazhim dhe bashkëpunim i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e NATO-s u bënë për ta ndërtuar Ushtrinë e Kosovës, si një forcë profesionale, moderne dhe në shërbim të paqes dhe sigurisë.

Brenda një viti, institucionet e Kosovës qëndruan më shumë se gjashtë muaj në lobim intensiv, duke bindur vendet mike se Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj. Ky qëllim u arrit pa zhurmë dhe pa pompozitet, por me përkushtim, besim dhe partneritet të sinqertë ndërkombëtar.

Themelimi i Ushtrisë së Kosovës i hapi rrugë armatimit dhe zhvillimit të trajnimeve ushtarake, si dhe sigurimit të municioneve që dikur na mohoheshin, me arsyetimin se ishim vetëm një organizatë në shërbim të emergjencave.

Ky proces historik u realizua bashkë me institucionet e vendit dhe udhëheqësit e tyre të kohës, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin.

Sot, shtatë vjet pas themelimit, djemtë dhe vajzat më të mira të vendit bartin me krenari uniformën unike të Ushtrisë së Kosovës, të dizajnuar me simbole që pasqyrojnë identitetin tonë shtetëror dhe kujtojnë të kaluarën tonë të lavdishme.

Ushtria e Kosovës mbetet një nga arritjet më të mëdha të shtetësisë sonë dhe një garanci për sigurinë, sovranitetin dhe të ardhmen e vendit.