KFOR-i italian fuqizon arsimin në Klinë: Dhuron pajisje moderne teknologjike për shkollën “Luigj Gurakuqi”

Shkolla e mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë ka përfituar nga një donacion i rëndësishëm i KFOR-it italian, i udhëhequr nga Koloneli Lorenzo Mangia, komandant i regjionit në Perëndim.

Ky donacion përfshinte pajisje moderne teknologjike, të cilat pritet të përmirësojnë ndjeshëm procesin mësimor dhe të mbështesin nxënësit në zhvillimin e tyre akademik.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit, Koloneli Mangia theksoi se investimi në arsimin e të rinjve përfaqëson një hap të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe shprehu kënaqësinë për mundësinë e kontribuimit në këtë sektor.

Në ngjarje mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Klinës, prof. dr. Zenun Elezaj, i cili shprehu mirënjohje të thellë për KFOR-in, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të tyre në periudha të ndryshme sfiduese për Kosovën.

I pranishëm ishte gjithashtu Drejtori i DKA-së në Klinë, Qemajl Sejdiu.

Kurse drejtori I shkolles Skender Maxharraj, e konsideroi këtë donacion si një hap të madh drejt modernizimit të kushteve të të nxënit dhe përmirësimit të mësimdhënies.

Ky veprim i KFOR-it italian është pritur me shumë falënderime nga komuniteti lokal dhe shihet si një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit mes institucioneve ndërkombëtare dhe shkollave në Kosovë.

Në fund aty u është dhënë mirënjohje në shenjë falenderimi./Klina info