Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka lëshuar një komunikatë të dytë lidhur me gjendjen shëndetësore të personave të lënduar në aksidentin e ndodhur në fshatin Dollc të Klinës.
Sipas njoftimit, nga pesë pacientët e pranuar për trajtim pas aksidentit, katër prej tyre kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë lëshuar për në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, një pacient tjetër vazhdon të qëndrojë nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor në repartin e Kirurgjisë, por është jashtë rrezikut për jetë.
Spitali ka konfirmuar se po vazhdon trajtimin dhe monitorimin e këtij pacienti, duke siguruar përkushtim të plotë profesional.