“200 fëmijë me besim të pastër dhe edukatë të shëndoshë”, përmbyllet me sukses Shkolla Verore në Klinë

Në një atmosferë të ngrohtë e të mbushur me buzëqeshje fëmijësh, është përmbyllur me sukses Shkolla Verore në Klinë, një projekt edukativo-fetar që përfshiu afro 200 fëmijë nga zona të ndryshme.

Hoxha i xhamisë së Klinës, Blerim Musliu, përmes një postimi falënderues, theksoi rëndësinë e këtij projekti:

“Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, me begatitë e të Cilit arrijmë t’i kryejmë projektet dhe punët e dobishme!”

Ai shtoi se thelbi i kësaj shkolle ishte edukimi i fëmijëve me njohjen dhe adhurimin ndaj Krijuesit, mirënjohjen ndaj prindërve dhe vetëdijen për dijen e atdhedashurinë.

“Ne sot po ua kthejmë shoqërisë afro 200 fëmijë me besim të pastër, edukatë të shëndosh dhe ambicie të lartë.”

Musliu falënderoi në mënyrë të veçantë edhe rininë e xhamisë, që kontribuoi për mbarëvajtjen e programit duke u kujdesur për ujin, ushqimin, pijet dhe transportin e fëmijëve nga fshatrat përreth.

“Sot e përmbyllëm këtë shkollë nën buzëqeshjet e ngrohta dhe të ëmbla, të cilat do të na përcjellin gjatë, ashtu siç besojmë se mësimet tona do t’i shoqërojnë fëmijët për tërë jetën.”

Në fund, Musliu përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit dhe veçanërisht fituesit, me urimin:

“Shihemi verën e ardhshme inshallah! Presim shkëlqimin tuaj në çdo sferë të jetës!”