Zviceranen e zë gjumi në parkun e qytetit në Gjakovë, dikush ia vjedh çantën me të gjitha gjërat në vlerë të 1 mijë eurove

Një fenomen mjaft shqetësues në Kosovë janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura, dyqane e çanta të qytetarëve, duke shkaktuar humbje e pasiguri. Së fundmi, një rast i tillë, ka ndodhur edhe në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.

Një shtetase zvicerane ka rënë pre e hajnave gjatë ditës së djeshme, teksa po qëndronte në parkun e qytetit të Gjakovës bashkë me një shoqëruese të saj.

Siç mëson Sinjali, për një moment dy gratë i kishte zënë gjumi dhe këtë rast e kishte shfrytëzuar një burrë, i cili dyshohet se vodhi çantën e zviceranes bashkë me të gjitha gjërat që kishte brenda saj e që kapin vlerën e 1 mijë eurove.

Me t’u zgjuar nga dremitja, ajo ka vërejtur se çantën nuk e ka afër vetes, çka e alarmoi që të kërkojë ndihmën e Policisë së Kosovës. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë arritur që të identifikojnë personin e dyshuar, e më pas ta arrestojnë atë.

43-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Vjedhje’.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.