Zenun Elezaj, OVL-UÇK-së, familjarë të komandant “Kapuçit kanë bërë homazhe

Sot, në ditëlindjen e komandantit të UÇK-së, Mujë Krasniqit, Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të komunës, përfaqësues të OVL-UÇK-së, familjarë të komandant “Kapuçit” dhe qytetarë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh pranë bustit të Mujë Krasniqit në Klinë dhe në kompleksin memorial te varrezat e dëshmorëve të kombit, në Marinë.

Po ashtu, vizitë është bërë edhe te kulla muze e Komandant Mujë Krasniqit në fshatin tij të lindjes, Çabiq.

Kryetari Elezaj ka theksuar se Komandant “Kapuçi” ishte një ndër projektuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një ndër luftëtarët më të zotë në luftën për liri e pavarësi, që i përket bërthamës së krijimit e zgjerimit të UÇK-së në tërë territorin e Kosovës.

Elezaj shtoi se lufta e drejtë e UÇK-së largoi një herë e mirë mizoritë serbe ndaj popullatës civile shqiptare, ndërsa sakrifica e gjaku i derdhur i dëshmorëve të kombit u shndërrua në gurë themeltar të pavarësisë e shtetndërtimit.

Si çdo vit tjetër, edhe këtë vit ishte planifikuar mbajtja e Festivalit Folklorik “I Këndojmë Lirisë”, i cili organizohet për nderë të ditëlindjes së Komandant Mujë Krasniqit, por për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit COVID-19, kuvendi i komunës, në mbledhjen e tretë të rregullt, ka marrë vendim që të anulohet organizimi i festivalit për këtë vit.

SHARE