Walker i kundërpërgjigjet Vuçiqit për Reçakun

William Walker i është kundërpërgjigjur ashpër presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, pasi ky i fundit kishte thënë se Walker e “kishte falsifikuar” Masakrën e Reçakut.

Walker i cili kishte dokumentuar gjithçka nga masakra që kishte ndodhur në Reçak ka thënë se lufton për të drejtat e njeriut kudo.

“Kur Vuçiq ose ndonjë makinë tjetër propaganduese përpiqet të më përshkruaj mua si një njeri që ka ndryshuar pozicionin rreth të drejtave të njeriut, e kanë gabim.

Ata duhet të kuptojnë se unë luftoj për të drejtat e njeriut kudo, në Kosovë, edhe për komunitetin serb në Sllavoninë Lindore”, ka thënë Walker.

Vuçiq në dhjetorin e vitit 2019 e kishte akuzuar William Walker se kishte falsifikuar historinë e Masakrës së Reçakut.“Gjithçka u falsifikuar nga ai mashtrues”, kishte thënë Aleksander Vuçiq kur ishte pyetur për pikëpamjet e tij rreth William Walker.

Ndër të tjera Walker ka thënë se beson që është i mundshëm pajtimi në mes të shqiptarëve dhe serbëve.Aleksander Vuçiq gjatë kohës sa në pushtet ishte Sllobodan Millosheviq kishte shërbyer si Ministër i Propagandës.