Vuçiq: Barrikadat do të largohen kur të krijohet asociacioni

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se barrikadat në veri të Kosovës do të largohen kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Fillimisht Asociacioni i komunave, pastaj ne do të largojmë barrikadat”, tha Vuçiq për gazetarët në Azerbajxhan, raporton agjencia e lajmeve Beta.

Për krijimin e Asociacionit, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Autoritetet në Kosovë kanë argumentuar se krijimi i këtij Asociacioni do të ishte i dëmshëm për Kosovën.

Sipas Vuçiqit, Kosova nuk dëshiron të dëgjojë, por vetëm dëshiron që ta poshtërojë Serbinë.

Ai theksoi se sjellja e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, është më e drejtë krahasuar me sjelljen e shumicës së qeverive perëndimore.

“Ata [KFOR] po e trajtojnë situatën me seriozitet dhe me përgjegjësi”, tha Vuçiq.

Ai kërkoi shpjegim nga Kosova sa i përket arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, duke shtuar se Beogradi nuk e di arsyen e arrestimit të tij.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiq – që u arrestua më 10 dhjetor – dyshohet për organizimin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Për shkak të arrestimit të Pantiqit, disa serbë lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – të Jarinjës dhe Bërnjakut.

KFOR-i ka njoftuar se ka rritur prezencën në Jarinjë për shkak të mundësisë së pranisë së “grupeve të organizuara kriminale”.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kanë kapacitete për të larguar barrikadat, por i kanë dhënë kohë KFOR-it që t’i largojnë ato në mënyrë paqësore. /REL

SHARE