Vritet një person në fshatin Maqiteve të Suharekës, i dyshuari thuhet se ishte nën ndikim të alkoolit

Një person ka vdekur mbrëmë në fshatin Maqiteve, Komuna e Suharekës si pasojë e plagëve të marra nga një armë zjarri.

Rreth orës 21:53 policia në rajonin e Suharekës kishte pranuar informacion për një rast ‘Vrasje’ me armë zjarri. Me të marrë informacionin në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe emergjenca, ku nga mjeku kujdestar është konfirmuar se viktima nuk ka shenja jete.

“Gjithashtu në vendin e ngjarjes ka dalë njësiti i specializuar i hetimeve rajonale dhe prokurori i Shtetit dhe vendi i ngjarjes është procesuar dhe shikuar nga njësiti i forenzikës dhe hetuesit e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe gjatë shikimit të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 gëzhoja të zbrazëta të armës dhe 4 pjesë metalike që dyshohet se janë të predhave të plumbit të armës së zjarrit. Ndërsa gjatë bastisjes se shtëpisë dhe automjetit të personit të dyshimtë policia ka gjetur edhe armën e tipit pushkë gjysmë automatike me 2 fishek dhe 2 gëzhoja me të cilën dyshohet se është kryer krim”, thuhet në njoftimin për media, transmeton Indeksonline.

Viktima është Sh.K mashkull i lindur në vitin 1976. I dyshimti S.A mashkull i lindur në vitin 1980, i cili ishte nën ndikimin e alkoolit është ndaluar dhe arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit.

Trupi i pajetë më urdhër të prokurorit dërgohet në IML për obduksion, ndërsa më rastin po merren hetimet rajonale të policisë për të kuptuar rrethanat se si ka ardhur deri te vrasja.