Voziti 106 km/h në zonën e 40 km/h, shoferit i merret leja për 1 vit

Policia e Kosovës në Mitrovicë ka vendosur gjobë dhe masa mbrojtëse ndaj një shoferi, i cili në zonën ku kufizimi i shpejtësisë është 40km/h, e ka drejtuar automjetin me shpejtësi prej 106 km/h.

“Njësia Rajonale e Trafikut në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut, sot gjatë kontrollit të trafikut rrugor në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë përkatësisht në segmentin rrugor në Vushtrri, gjatë matjes së shpejtësisë me radar ka identifikuar një veturë e cila ishte duke zhvilluar shpejtësi prej 106 km/h në zonën urbane ku kufizimi i shpejtësisë është 40 km/h” – thuhet në njoftimin e policisë.

Ndaj kundërvajtësit policia ka njoftuar se ka shqiptuar gjobë prej 500 euro, pesë pikë negative si dhe masa mbrojtëse-ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik për një vit.

“Masat ndëshkimore të parapara me ligj, do të vazhdojnë të merren ndaj te gjithë kundërvajtësve të cilët nuk respektojnë rregullat në trafik dhe rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve në trafikun rrugor”, përfundon njoftimi.