Vetura godet për vdekje një këmbësor në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në fshatin Mazgit të Obiliqit ku ka humbur jetën një këmbësor.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës Agron Borovci ka thënë se aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:00 minuta në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë ku vetura ka përplasur këmbësorin.

“Rreth orës 17:00, është pranuar informata për një aksident trafiku rrugor të ndodhur në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, respektivisht në fshatin Mazgit, me ç’rast një veturë ka përplasur një këmbësor. Si pasojë e aksidentit këmbësori ka humbur jetën”.

Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti.