VËRTET KU SHKON TI POPULL

Hajdin Morina

Ti mezi veten e merr
pas abortit të votës
në çdo katër vjet.
E korrierët e partisë
ta mësojnë
fëmijën në shkollë.
E të skuqin para PISA-s,
ta marrin fytyrën
ty që djalë ke Hasan Prishtinën.
Ti nga bukëshkalët
e merr plagën e thellë
dhe votën mezi e pjell.
Vërtet ku shkon ti popull që m’dhemb?

KAM FRIKË
Në bisedë informative
kanë me t’thirrë edhe ty,
e dinë ata kur, qysh e tek e si,
e kanë me t’pyet me kë je, Atdhe.

Kam frikë kanë me ta zhveshë
lëkurën e Arbërisë,
atë hartë të shpuar plumbash
e s’kam tjetër këmishë.

ZOTËSI MODERNE
Të shkruash pa lexuar,
pa e shkelur pragun
e institucionit të marrësh gradë,
sepse është një metodë e lejuar
e mësimit në distancë.
Të gjitha arrihen online…
Të duartrokasësh
dhe të jesh i zoti
të thuash “pooo” i pari
në lojën e vjetër “Fluturon buallica…
fluturon kali”.
Të shkruash të mos dish
e të ndihesh mbi të gjithë,
Shekspir të ndihesh, Shekspir.
Të kesh sot
zotësi dhe ndjenja të tjera.
Online premtohen,
online realizohen të gjitha.