Vërshime në komunën e Klinës, deklarohet Zenun Elezaj

Pas reshjeve të shiut dhe përmbytjeve që janë shkaktuar, ka reaguar kryetari i Klinës, Zenun Elezaj.

Ai ka shkruar në një postim se të reshurat e shiut po e vështirësojnë qarkullimin në disa vendbanime.

Ky është njoftimi:

Bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, Qendrim Millaku, kemi vizituar disa fshatra, ku kemi parë nga afër situatën e krijuar pas të reshurave të shiut që po vazhdojnë edhe tani.

Ka rritje në rrjedhën e lumit “Klina”, ku edhe gjendja është më problematike mbi urat e këtij lumi në fshatrat Shtaricë, Gjurgjevik i Madh dhe Pogragjë, ku rritja e nivelit të reshjeve mund të sjellë deri në mbylljen e këtyre rrugëve. Po ashtu, lumi “Mirusha” ka filluar të dalë nga shtrati, duke prekur disa biznese dhe familje nga vërshimet.

Si institucione lokale, në bashkëpunim me shërbimin e emergjencave dhe zjarrfikësit jemi duke u përpjekur maksimalisht në mënyrë që gjendja mos të përkeqësohet.

Edhe në këto momente jemi duke vazhduar vizitat në disa fshatra për të parë gjendjen e krijuar.
Apelojmë qytetarët për rritje të kujdesit gjatë qarkullimit me vetura, ndërsa ata që kanë nevojë për intervenim duhet të lajmërojnë shërbimin e zjarrfikësve, policinë dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjente.