U mbajt konsultimi me publikun për draft – buxhetin e komunës së Klinës

Sot, në sallën e kuvendit të komunës është mbajtur konsultimi me publikun lidhur me draft-buxhetin e komunës së Klinës 2023-2025. Takimi është udhëhequr nga kryesuesi i kuvendit, z. Fadil Gashi, ndërsa të pranishëm kanë qenë kryetari i komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, drejtorë të drejtorive, përfaqësues të OJQ-ve, mediave dhe qytetarë.
Drejtori i Financave, Ekonomisë dhe Zhvillimit, Ajet Sejdiu, i cili prezantoi draft-buxhetin 2023-2025, theksoi se pas dëgjimeve buxhetore të mbajtura në disa lokalitete kemi arritur ta përgatisim draft-buxhetin, i cili ka rritje të buxhetit në të gjitha kategoritë buxhetore dhe rritje në planifikimet për të hyrat vetanake për vitin 2023, ku është planifikuar të ketë rritje të buxhetit për 8% në krahasim me këtë vit.
Qytetarët gjatë diskutimit shprehën kërkesat, propozimet dhe sugjerimet e tyre lidhur me projektet e planifikuara dhe të nevojshme në komunën e Klinës për vitet e ardhshme. Propozime kyçe ishin rregullimi i infrastrukturës rrugore, rritja e subvencioneve në bujqësi, rregullimi i shtretërve të lumenjve, sigurimi i ujit të pijes dhe kërkesa tjera.
Kryetari i komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, theksoi se me qëllim të rritjes së transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në planifikimet për draft-buxhet, komuna e Klinës ka mbajtur disa dëgjime buxhetore me qytetarë. Ai shtoi se ekzekutivi i komunës do të marrë parasysh të gjitha kërkesat e qytetarëve të pranuara gjatë dëgjimeve buxhetore dhe do t`i përfshijë në draft-buxhet.