Tri deri në pesë vjet burg rrezikojnë të dënohen, komandanti Kristë Gjokaj dhe pesë policët në Gjakovë

Nëse vërtetohet fajësia ndaj tyre, zyrtarët policorë, përveçse do t’i humbin postet e tyre në Polici, rrezikojnë të marrin dënim me burgim disa vjeçarë.

Komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj dhe pesë zyrtarët policorë: Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limanaj, rrezikojnë të dënohen me burgim, nëse shpallen fajtor lidhur me torturën dhe keqtrajtimin e një qytetari të prangosur në Stacionin Policor në Gjakovë, e cila shihet në videon që ishte publikuar ekskluzivisht në Gazetën Sinjali.

Prokuroria Themelore në Gjilan, e cila ishte ngarkuar për hetimin e këtij rasti, njoftoi dje se ka ngritur aktakuzë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Kristë Gjokaj dhe katër nga pesë vartësit e tij, Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj ngarkohen se kanë kryer  veprën penale ‘’Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’, nga neni 198 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës i cili parasheh dënim me burgim deri në tre (3) vjet.

Aktakuza thotë se komandanti Kristë Gjokaj  më 14 nëntor 2018, në objektin e stacionit policor në Gjakovë, ka keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi i cili kishte qenë i arrestuar dhe i prangosur si i dyshuar për dy vepra penale, në atë mënyrë që derisa ishte ulur në karrige, i njëjti e godet me grusht në fytyrë, me ç’rast e rrëzon në dysheme, derisa nga aty të pandehurin e largon një zyrtar policor.

Ndërsa për katër të pandehurit tjerë theksohet se kanë keqtrajtuar të dëmtuarin Muhamer Raifi, ashtu që me qëllim që të nxjerrin informacione, për personat e tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale, për të cilat i dëmtuari ka qenë i dyshuar, e sulmojnë fizikisht, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, për të cilat është detyruar të kërkonte tretman mjekësor.

I pandehuri i gjashtë, Shaban Limanaj i cili akuzohet se ka kryer veprën tjetër penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal rrezikon të dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Sipas aktakuzës, Shaban Limanaj, si person përgjegjës në qendrën e ndalimit në Gjakovë, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, pasi iu ka mundësuar të pandehurve Milot Ukaj, Gëzim Biblekaj dhe Agron Idrizi të futen në qelinë ku ndodhej i dëmtuari Muhamer Raifi të cilët pastaj e kanë keqtrajtuar duke e sulmuar fizikisht.

Misioni Evropian për Sundimin e Rendit dhe të Ligjit në Kosovë –EULEX,në një përgjigje për Gazetën Sinjali kishte dënuar çfarëdo sjellje të pahijshme që mund të jetë kryer nga pjesëtarë të zbatimit të ligjit gjatë kryerjes së detyrave të tyre përderisa kishte konfirmuar se ka marr nën monitorim këtë rast.