Theret me thikë një nxënës në Pejë, arrestohen dy bashkëmoshatarë të tij

Mëngjesin e sotëm, një i mitur ka kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Pejës, pasi është therur me mjet të mprehtë nga një i mitur tjetër.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda spitalit të Pejës njoftojnë se i mituri ka pësuar lëndime në këmbën e majtë mbi gju dhe në lidhje me këtë rast është informuar Policia e Kosovës.

Pasi e ka marrë tretmanin mjekësor të nevojshëm, i mituri bashkë me babain e tij janë intervistuar nga zyrtarët policorë.

Siç mëson Sinjali, i mituri ka deklaruar se është therur me thikë nga një nxënës i shkollës fillore “8 marsi” derisa po kthehej nga furra për në shkollë.

15-vjeçari tha se bashkëmoshatari i tij ka pasur për qëllim që ta frikësojë sepse nuk kanë pasur mosmarrëveshje. Një gjë të tillë e ka pohuar vetë i dyshuari, i cili është arrestuar nga Policia.

I dyshuari në stacionin policor ka shkuar bashkë me një person tjetër, i cili dyshohet se është pronari i briskut.

Të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit, janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet vazhdojnë.