Të martën protestojnë fermerët dhe pikat grumbulluese të qumështit

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka paralajmëruar protestë para ndërtesës së qeverisë të martën më 29 shtator në ora 13:00.

Kjo, pasi sipas kësaj shoqate nuk po largohet qumështi i cili nuk e ka vendin në tregun e Kosovës.

“Këshilli koordinues ndërmjet Fermerëve të Qumështit , pikave Grumbulluesr dhe disa Përpunuesve në takimin e mbajtur sot me datê 26/09/2020 vendosi që Protesta e paralajmëruar për daten 29/09/2020 të mbahet fillimisht në  Prishtinë duke filluar nga ora 13:00”, thuhet në njoftim.

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka thënë se ekzekutivi kosovar nuk po garanton treg të favorshëm për ta.

“Këshilli koordinues i njofton dhe njëkohësisht i FTON të gjithë fermerët ,pikat grumbulluese të Qumështit dhe të gjithë PËRPUNUESIT e Qumështit  qê të i bashkohen protestës e cila ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të  konsumatorëve dhe fermerëve vendorë nga bankrotimi total. Qeveria e Kosovës nuk po i largon produktet kancerogjene  të “ Qumështit “ me vaj palme nga tregu, përkundër vendimit për ndalimin e tyre”, thuhet tutje në njoftim.

“Tregu vazhdon të jetë i stërmbushur me produkte të tilla kurse lumenjtë e Kosovës vazhdojnë të zbardhen nga Qumështi i fermave. Një pjesë e përpunuesve vendor fatkeqësisht janë bërë pjesë e këtij shkatrrimi dhe nuk po e luajnë rolin që ju takon , të dalin në mbrojtje konsumatorëve dhe  Fermerëve vendor. Krejt kjo për shkak të interesave të ngushta. Kjo gjendje nuk ka mundësi që edhe më tutje të vazhdoj ,prandaj duhet protestuar”, thuhet në fund të njoftimit.