Të gjitha testet e djeshme për COVID-19 nga Malisheva kanë rezultuar negative

Dje në Komunës së Malishevës, të gjitha analizat nga testet e bëra për COVID-19, kanë rezultuar negative. Konfirmimi i analizave është bërë në komunikimin zyrtar të komunës me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ndërsa gjendja aktuale me COVID-19 në Malishevë, është me pesë raste aktive.

“Gjendja është nën kontroll dhe numri i personave aktiv me COVID-19, është pesë persona, shumica prej tyre gati tërësisht të shëruar, por ne të gjithë duhet të tregojmë kujdes maksimal për tu ruajtur nga përhapja e virusit. Edhe pse kjo gjendje është e kontrollueshme dhe e qetë, Shtabi Komunal Emergjent, është në monitorim dhe menaxhim të vazhdueshëm të situatës, por për tu ndier të gjithë të sigurt, duhet ti respektojmë masat mbrojtëse të rekomanduara nga institucionet tona shëndetësore”, ka thënë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.

Ai ka përsëritur thirrjen për të gjithë qytetarët, që të mbajnë distancën sociale, të mbajnë maskat mbrojtëse, higjienën e duarve, dhe në maksimum t’u shmangen grumbullimeve të njerëzve.