Takimi me MCC’në i pari në agjendën e Kurtit gjatë vizitës së tij zyrtare në ShBA

Një vizitë zyrtare e Kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është përfolur gjatë në skenën politike. Fillimisht u tha se ai do të udhëtojë atje në nëntorin e vitit të kaluar, pastaj në janar të këtij viti. Sido që të jetë, muaji maj shefin e qeverisë po e gjen në udhëtim zyrtar Amerikë. Të premten, zyra e tij njoftoi se Kryeministri tashmë ndodhet në SHBA, por pa treguar saktë kë do ta takojë atje, e as sa do të qëndrojë.

Në njoftimin që ka dërguar sot zyra e tij, thuhet se Kurti do t’i takojë zyrtarët shtetërorë amerikanë pa specifikuar emra.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka filluar vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit në ShBA, kryeministri do të takohet me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave, si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan. Sot do të takohet me përfaqësuesit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)”, thuhet në njoftimin zyrtar të ZKM-së.

Kurti ka udhëtuar drejt SHBA’së, pasi ka qëndruar në Berlin, për takime me kancelarin e Gjermanisë Olaf Sholz dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në një vilë shtetërore gjermane me Miroslav Lajcakun si ndërmjetës.

SHARE