Sot u mbajt Akademia Përkujtimore për Muzli Isuf Sahiti

Në kujtim të Muzli (Isuf) Sahitit (1920-1998)

Në sallen e Kuvendit Komunal në Klinë, sot u mbajt Akademi Përkujtimore ku u kujtua plaku i mençur I odave dhe mbrojtësi i vlerave kombëtare – Muzli Isuf Sahiti nga Grabanica e Klinës. Ky ishte një organizim i përbashkët i Familjes Sahiti dhe Komunes së Klinës. Paraprakisht u bënë homazhe tek varri i plakut të odave Muzli Isufi.

Gjatë kësaj akademie, u kujtua dhe u vlerësua lartë angazhimi dhe kontributi i plakut plisbardhë i cili dallohej për intelektin, diapazonin dhe qenrimet e tija të qarta kundrejt pretendimeve armiqësore për ndërrim të identitetit kombëtar. Muzli Sahiti (i njohur më shumë si Muzli Isufi) u lind me datën 20 Mars 1920 në Grabanicë të Klinës. Ai ishte plaku plisbardhë që i printe karvanit të burrave të mëdhenj të kohës. Njifet si pjesmarrës aktiv në tubime të shumta, pajtimin e ngatërresave, aksione humanitare, etj. Ishte ai plaku patriot e sypatermbur, me gjuhën e artikuluar dhe intelektin e pa-shembullt, fjalët e të cilit referohen edhe sot e kësaj dite në tubime dhe rrethe intelektualësh.
“Më tepër se akademi, qëllimi i këtij tubimi është ta kujtojmë një periudhë aspak të lehtë dhe t’a nderojmë kontributin e figurave që mbajtën kurrizin drejtë perballë çdo furtune.” deklaroi Esat Sahiti, nipi i Muzli Isufit. Ai ndër të tjera shtoi se “Gjyshi ishte një Grabanicas krenar, por jo pa arsye. Kjo sepse bashkësia lokale e Grabanices ka qenë përherë nje rajon i fortifikuar mirë dhe që u beri ballë me sukses aspiratave armiqësore për pushtim e besa edhe tjetërsim të identitetit kombëtar.”
Kryetari i komunes Z. Zenun Elezaj ndau kujtime personale me plakun e mençur duke ju referuar atij si një vlerë kombëtare. Më tutje, Z. Elezaj shtoi që është qenësore që t’i kujtojmë me pietetin më të lartë figurat e rangut të Muzli Isufit.
Sociologu dhe Profesori Pal Lekaj e cilësoi Muzli Isufin si Sokrat të kohës moderne. Ai lartësoi kontributin e Muzli Isufit në mbrojtje të emrit të Gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në kohën kur pushteti insistonte ta ndrronte me qdo kusht. Në mbledhjen ku tentohej të bëhej ky ndryshim, Muzli Isufi me të marrë fjalën shprehej me një mprehtësi gjykimi, përmes një fjalimi të rrjedhshëm, shfaqte kundërshtinë e vet të vendosur rreth ndryshimit të emrit të shkollës, duke thenë:” Luigji asht i Joni, dhe na kemi ardhë këtu me ju thanë se nuk banë me e hekë emnin e tij nga kjo shkollë”.
Profesor Idriz Dushi ndau pervoja personale me Muzli Isufin. Ai ju referua plakut plisbardhë si një ‘mësues patriot e sypatrembur i cili kishte një intelekt dhe vision të jashtëzakonshëm”.
Në emër të lokalitetit, pjesmarrësve ju drejtua Z. Sejdi Baleci i cili ndër të tjera theksoi që kontributi i Muzli Isufit mbetet i pazavendësueshëm. Përveq si patriot dhe me një intelekt të veçantë ai shquhej edhe si një fqinj i mirë dhe human me ç’rast udhëhoqi lokalitetin në ngjarje të shumta.
Këtë Akademi Perkujtimore nderuan dhe veprimtarë dhe intelektual të kohës e që jetojnë në perendim. Z. Florim Zeqa, Z. Selman Et’hemi dhe Z. Anton Kolaj kishin dërguar telegrame dhe mesazhe Theks të veqantë kishte angazhimi i Muzli Isufit në lëvizjet për: mbështetje të minatorëve të Trepçes, kundershtimin dhe argumentimin shkencor që të mos ndrrohen emrat e shkollave dhe institucioneve kulturore, humanizmi i tij në levizjen “Familja Ndihmon Familjen” etj. Apeli dhe angazhimi i plakut plisbardhë u dha zemër komunitetit dhe rrethit për t’i qendruar stoik pretendimeve armiqësore. Këto porosi nga Z. Zeqa, Et’hemi dhe Kola shpërfaqën vlerën burrërore, patriotike dhe humane të plakut plisbardhë nga Grabanica – Muzli Sahitit. Në emër të familjes, akademinë e shpalli të mbyllur Ambasador Bekim Sejdiu i cili i faleminderoi të pranishmit dhe e shperfaqi krenarinë që familja e Ukë Sahitëve kanë për Muzli Isufin.

alignnone size-full wp-image-55956″ />