Sot rishqyrtohen masat antiCOVID, pritet të largohen maskat dhe ora policore

Ushtruesja e detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, sot do të mbajë takim virtual me Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Këta të fundit, kërkojnë që masat anti-COVID të lehtësohen, pas rënies së numrit të rasteve pozitive me koronavirus.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për Sinjalin se komunat po kërkojnë që të largohet kufizimi i lirisë së lëvizjes.

Ibrahimi thotë se nuk ka logjikë që ora policore të jetë në fuqi nga ora 22:00, derisa lokalet e gastronomisë punojnë deri në orën 21:30.

Po ashtu, Ibrahimi thotë se komunat po kërkojnë që të hiqet obligimi i mbajtjes së maskës kur një person është i vetëm në ambient të jashtëm, e po ashtu për personat e imunizuar.

“Kërkesa jonë dhe fushata për imunizim të vazhdojnë. Ne e mirëpresim reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë për ekipet mobile të vaksinimit në terren”, ka deklaruar Ibrahimi.