Sot në komunën e Klinës u mbajt testi i maturës shtetërore 2020.

Sipas planifikimit në testim kanë hyrë 538 maturantë në katër qendra të testimit:
qendra numër një me 118 nxënës; qendra numër dy me 124 nxënës; qendra numër tre me 147 nxënës dhe qendra numër katër me 149 nxënës. Në çdo klasë kishte nga dymbëdhjetë nxënës, sipas udhëzimeve të MASHT-it për organizimin e maturës shtetërore në rrethana të pandemisë.
Testi u mbajt në katër objekte shkollore të qytetit: SHFMU “Motrat Quriazi”; SHFMU “Ismet Rraci”; gjimnazi “Luigj Gurakuqi” dhe SHMP “Fehmi Agani”.
Në këto shkolla DKA-ja me kohë ka bërë përgatitjet e duhura për zhvillim normal të testit, duke i respektuar vendimet dhe masat e Ministrisë së Shëndetësisë përkitazi me pandeminë COVID-19, pra është bërë dezinfektimi i objekteve, janë siguruar maskat mbrojtëse, dezinfektuesit nëpër qendra dhe nëpër klasa si dhe për çdo qendër ka qenë i angazhuar një ekip mjekësor nga QKMF “Nënë Tereza” e Klinës. Në këtë organizim shtetëror, sikur edhe herave të tjera, kontribut dhanë edhe ekipet e Policisë së Kosovës, pra pjesëtarë të stacionit policor të Klinës.
DKA-ja të gjithë maturantëve u uron suksese në provim dhe në fazën e mëtutjeshme të shkollimit të tyre. Suksese!