“Situata është duke dalë prej kontrollit”, Syla flet pas rritjes së rasteve me COVID-19

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë, Blerim Syla, tha se stafi shëndetësor është i stërlodhur dhe i mbingarkuar pas rritjes së rasteve me koronavirus.

Syla tha se nuk duhet përhapur panik, mirëpo sipas tij situata është duke dalë nga kontrolli.

“Unë nuk dua të përhap panik që është duke dalë situata prej kontrollit, mirëpo unë mund të them se jemi duke i stërmbushur kapacitetet, ato që i kemi ne. Sipas statistikave që i posedon Federata Sindikale e Shëndetësisë, në Kosovë i kemi të përgatitur diku 401 shtretër, në krejt Kosovën, sa i përket atyre që duhet të trajtohen me COVID-19. Mirëpo, problemi qëndron te stafi sepse ky staf është stërlodhur dhe është i mbingarkuar”, thotë Syla.

Syla thotë se i gjithë problemi qëndron se Kosova nuk ka staf të mjaftueshëm që të trajtojë pacientët me COVID-19.

“Sa i përket situatës nëpër klinika, ju e dini që ka pasur disa tendenca për dhënien e shërbimeve edhe nëpër spitale të tjera. Mirëpo problem e kemi sepse nuk kemi shumë staf. Po ua marr rastin e Gjakovës. Atje pardje kemi pasur katër punëtorë shëndetësorë të infektuar, ndërsa kemi nëntë pacientë që janë duke e marrë trajtimin. Pra, situata nuk është e mirë, është një situatë goxha e rëndë dhe kjo është pasojë e të gjithëve”, thotë Syla për REL.