Sinjale negative nga Franca për vizat: Kosova s’i ka plotësuar 95 kriteret e BE-së në mënyrë efektive

Franca, që po e udhëheq presidencën e BE-së, është njëra nga shtetet skeptike sa i përket heqjes së regjimit të vizave për kosovarët. Burime diplomatike të Gazetës Express në Ministrinë e Jashtme të këtij shteti thonë se edhe pozicioni i BE-së është se Kosova nuk i ka plotësuar në mënyrë efektive të gjitha 95 kriteret e përcaktuara për liberalizim të vizave. Ndërkohë nga zyra për medie e Komisionit Evropian kanë konfirmuar për Gazetën Express se ende qëndron vlerësimi i vitit 2018 se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.

Gjashtëmujori i parë i 2022-shit i presidencës franceze s’pritet të sjellë ndonjë ndryshim sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave në Këshillin e BE-së, pasi nga Parisi zyrtar vazhdojnë të deklarojnë se Kosova ende nuk i ka plotësuar në mënyrë të prerë kushtet e caktuara nga Brukseli. Madje thonë se ky konstatim për mosplotësimin e kushteve është qëndrim edhe i Bashkimit Evropian.

Kështu kanë thënë për Gazetën Express burime diplomatike brenda diplomacisë shtetërore franceze.

“Sa i përket liberalizimit të vizave, ne e mirëpresim punën që tashmë është përfunduar nga Prishtina dhe e përkrahim progresin e saj të vazhdueshëm. Pozicioni i tanishëm evropian është vërtet se Kosova ende nuk i ka plotësuar të gjitha 95 kriteret në rrugën e përcaktuar nga Bashkimi Evropian më 2012, që duhet të plotësohen në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme. Për më tepër, ne jemi duke zhvilluar bashkëpunim të ngushtë dhe të rregullt në fushën e sigurisë së brendshme me autoritetet përkatëse kosovare me qëllim të adresimit të shqetësimeve tona, posaçërisht në lidhje me emigrimin e paligjshëm, dhe për të bërë ndërtim kapacitetesh”, ka thënë ky burim diplomatik.

Megjithatë, Franca do të organizojë një samit për Ballkanin Perëndimor gjatë presidencës së saj. Ky burim diplomatik njofton se Kosova do të jetë e përfshirë ngushtë në përgatitjen e këtij samiti.

“Ballkani Perëndimor është një nga prioritetet gjeografike të Presidencës Franceze të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe do të jetë temë e një konference në qershor, hollësitë e së cilës do të saktësohen në një datë të mëvonshme. Presidenca Franceze dëshiron të promovojë një agjendë pozitive në lidhje me Ballkanin Perëndimor, të mbështetur përreth bashkëpunimit konkret. Njësoj si shtetet tjera në rajon, Kosova do të jetë e përfshirë ngushtë gjatë përgatitjes së saj (agjendës)”, ka thënë tutje.

Ndërkaq nga Zyra për Medie e Komisionit Evropian në një përgjigje për Gazetën Express thanë se vlerësimi i vitit 2018 se Kosova i ka përmbushur kriteret qëndron ende.

“Komisioni konfirmoi në korrik të vitit 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e procesit të Liberalizimit të Vizave. Vlerësimi ynë qëndron ende”, thuhet në përgjigje.

Tutje nga KE-ja deklaruan që shtetet anëtare të vazhdojnë tutje me heqjen e vizave për Kosovën.

“Pas votimit të favorshëm të Parlamentit Evropian më 2019, tash u takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta çojnë çështjen përpara. Ne i inkurajojmë ato që të vazhdojnë me largimin e kërkesës për viza për Kosovën”, thuhet tutje.

Se roli i Francës mbetet kyç në shtyrjen përpara apo jo të liberalizimit të vizave e thanë para disa ditësh edhe eksperti i çështjeve të Ballkanit Florian Bieber dhe eurodeputetja Viola von Cramon

Profesori universitar, Florian Biber, është skeptik që Franca do ta çojë përpara në Këshill heqjen e vizave për kosovarët, marrë parasysh zgjedhjet presidenciale që do të mbahen atje në prill.

“Do të isha skeptik, pasi Franca është vend kyç në bllokimin e e liberalizimit dhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale nuk janë mjedis pozitiv. Veçanërisht në kohën kur sfiduesit kryesorë janë nga spektri i së djathtës ekstreme ose konservatorët. Prandaj, do të prisja ndonjë mundësi pas zgjedhjeve. Do të varet nga bashkëpunimi francezo-gjerman për reformimin e BE-së dhe gjetjen e një agjende të përbashkët dhe për atë se si Gjermania mund ta ulë Francën në tavolinë për ta vlerësuar këtë si çështje të rëndësishme si pjesë e zgjerimit”, ka deklaruar Bieber për Gazetën Express.

Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, thekson se janë pikërisht francezët që e kundërshtojnë futjen në votim të liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Zakonisht, për gjëra arrihet pajtim paraprakisht në mesin e 27 vendeve të BE-së para se të vendosen për votim në Këshill. Prandaj, pasi nuk ka marrëveshje për këtë për shkak të kundërshtimit të francezëve dhe të disa vendeve tjera anëtare të BE-së, thjesht nuk është vendosur ende në votim”, ka thënë eurodeputetja Cramon.