Shuhen gjasat që vaksinimi në Kosovë të nis në shkurt

Edhe pse në shtetet e rajonit tashmë ka nisur vaksinimi i popullatës kundër virusit COVID-19, një gjë e tillë nuk është as afër nisjes në vendin tonë, përkundër premtimeve të shumta se kontingjenti i parë prej 100 mijë e 800 vaksinave të COVAX në Kosovë do të arrijë gjatë muajit shkurt

Vonesat në negociata, mostransparenca si dhe gjendja politike në Kosovë, po vlerësohet se kanë ndikuar në mossigurimin e vaksinave kundër COVID-19.

Ministri në detyre i Shëndetësisë, Armend Zemaj javë më parë ka deklaruar se vaksina anti-Covid do të vijë në Kosovë gjatë muajit shkurt. Madje, ai tha se IKShPK-ja ka përcaktuar që të vaksinohen më shumë se 75% e popullatës, duke theksuar se do të fillojnë me të moshuarit, të sëmurët kronik dhe personeli shëndetësor.

Por këtyre premtimeve të Zemajt nuk po u shihet askund rezultati. Infektologu, Hamdi Ramadani duke folur për lajmi.net ka thënë përkundër deklaratave të ndryshme të organeve kompetente, gjasat janë të vogla që vaksinimi të nis gjatë muajit shkurt.

Derisa bota e vendet e Ballkanit po marrin vaksinën kundër COVID-19 dhe në Kosovë ende as nuk dihet kur nis një proces i tillë, Ramadani thotë se kjo është një papërgjegjësi e plotë nga organet kompetente.

Tutje Ramadani ka thënë se situata në vendin tonë ende është e rëndë dhe nëse nuk nis shpejt vaksinimi, siç tha ai, sëmundja nuk do të ndalet.

Sipas Ramadanit, në Kosovë ende nuk dihet se sa është imuniteti kolektiv sepse nuk është hulumtuar për të.

Ndërkohë, në Shqipëri tashmë ka filluar arritja e kontingjenteve të vaksinës së Pfizer-it pothuajse çdo javë, kurse në prill, siç ka paralajmëruar kryeministri, Edi Rama, pritet të arrijë kontingjenti i parë i 360.000 dozave të vaksinës së kompanisë britanike, AstraZeneca dhe Universitetit të Oxford-it nga “një shtet mik”.

Maqedonia e Veriut po ashtu ka filluar vaksinimin me vaksinat e dhuruara nga Serbia, kurse Serbia tashmë u ka mundësuar qytetarëve të vetë të zgjedhin në mes katër vaksinave dhe ka vaksinuar mbi një milion njerëz.

Vaksinimi ka filluar edhe në Malin e Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë, po ashtu me vaksina të dhuruara nga Serbia.

Kosova pret të marrë nga COVAX-i rreth 100.800 doza të kësaj vaksine